Planifikimi Urban. Volumi 2 - Planifikimi Rregullues
Planifikimi urban apo rajonal mund të përcaktohet si një përpjekje e bashkërenduar e autoriteteve publike për të orientuar zhvillimin e tokës në interes të mirëqënies së përbashkët dhe eficencës ekonomike. Tashmë ai përdoret pothuajse në të gjitha vendet e botës duke u konsideruar si një mjet efikas si në vendet e zhvilluara ashtu dhe ato në zhvillim, si nga shoqëritë kapitaliste ashtu edhe nga ato socialiste. Është e rëndësishme që në fillim të theksojmë se objekti i kësaj analize mbi evolucionin e planeve urbanistike, së pari përbëhet nga struktura që ka dominuar instrumentat urbanistike në periudha të ndryshme. Në mënyrë të qëllimshme janë përjashtuar rastet e veçanta, edhe pse mund të jenë tepër sinjifikative, me qëllim që të hidhet dritë mbi karakteristikat e përgjithshme të çdo lloj plani. Ndërkohë, referimi qoftë edhe pjesor ndaj rasteve të veçanta, të cilat janë mjaft të larmishme, nuk do të krijonte mundësi që të ekspozoheshin idetë kryesore të planifikimit brenda hapësirës që lejon ky libër. Kjo ka sjellë në mënyrë të pashmangshme përgjithësimin në mënyrë skematike të ideve.